Blog
Lyra Osmani Ahmeti
Paneliste
Paneli 1: “Dialogu për klimën e biznesit dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë”
Lyra Osmani Ahmeti është ushtruese e detyrës së Inspektorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës, në të cilin pozicion është emëruar në shkurt të vitit 2023 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Përvoja e mëparshme profesionale e znj. Osmani Ahmeti shtrihet në sektorë të ndryshëm të fushës së auditimit dhe financave, ndërsa në postin e saj aktual ajo vazhdon t’i përfshijë njohuritë dhe përvojën e saj të gjerë për t’i mbajtur standardet më të larta të auditimit, qeverisjes financiare, dhe të inspektimit në Republikën e Kosovës.
Znj. Osmani Ahmeti paraprakisht ka shërbyer auditore e brendshme në Zyrën e Kryeministrit, ku përmes përvojës së saj profesionale ka siguruar saktësinë dhe efikasitetin e proceseve financiare.
Përvoja e znj. Lyra Osmani Ahmeti është e lidhur edhe me kontributin e saj në postin e ligjërueses në Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, ku është e angazhuar në lëndët: “Kontabiliteti financiar” dhe “Elementet e njohurive të Auditimit të Brendshëm”. Përmes ligjërimit ne ShKÇAK, znj. Osmani Ahmeti ofron ndikim të rëndësishëm në formimin e profesionistëve të ardhshëm të kontabilitetit dhe auditimit.
Ajo po ashtu shërben si mentore në skemën e mentorimit të Rrjetit CSR Kosova, me angazhim në punëtorinë UPSHIFT: Social Impact të mbështetur nga IPKO Foundation dhe UNICEF-i.
Osmani Ahmeti ka përfituar përvojë profesionale si udhëheqëse e auditimit të brendshëm në Moneta shpk dhe Moneta Financial Services. Këto poste ia mundësuan asaj aplikimin e njohurive profesionale në kontekst ndërkombëtar. Ajo ka fituar përvojë të çmueshme si auditore e jashtme gjatë punës praktike në “PricewaterhouseCoopers”, një nga firmat më të njohura në botë që ofron shërbime profesionale të auditimit dhe këshillimit rreth taksave.
Inspektorja e Përgjithshme në Republikën e Kosovës është e diplomuar në departamentin për Banka, Financa dhe Kontabilitet të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ku i ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës, teksa aktualisht i ndjek studimet e doktoraturës. Po ashtu është e diplomuar edhe në drejtimin Administratë Publike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane të Kolegjit “Universum”, dhe
për më tepër mban certifikime profesionale në fushën e auditimit të brendshëm dhe kontabilitetit.