Blog

Vjosa Osmani

 

E FTUAR E NDERIT

 

Fjalim përshëndetës

 

 

Dr. Osmani është Presidentja e gjashtë e Republikës së Kosovës. Pasi shërbeu si Kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe fitoi pesë mandate radhazi si deputete e Kuvendit, zonja Osmani u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës më 4 prill 2021.

 

Ajo ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka magjistruar e doktoruar në të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Pitsburgut në Pensillvani, Shtetet e Bashkuara.

 

Presidentja e Republikës së Kosovës është edhe Komandante e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit, sipas Kushtetutës së Kosovës. Si një avokate e vendosur për një sistem të paanshëm dhe profesional të drejtësisë, Presidentja Osmani ka mbështetur fuqishëm reformat e gjera të sundimit të ligjit në Kosovë.

 

Si presidente, Vjosa Osmani ka mbrojtur gjithmonë të drejtat e grave, veçanërisht në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në proceset e paqes dhe sigurisë, si dhe fuqizimin e tyre ekonomik dhe politik. Presidentja është e përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

 

Ajo është gjithashtu e përkushtuar për fuqizimin e grupeve të pafavorizuara dhe të margjinalizuara në Kosovë. Puna e Presidentes është fokusuar gjithashtu në sigurimin që veprimi për ndryshimet klimatike të filloj nga individi dhe të fitoj mbështetje të mëtejshme në nivelet më të larta politike. Gjithashtu, fuqizimi i të rinjëve në fusha të ndryshme, nga teknologjija e informacionit deri tek vendimmarrja politike, ka qenë pjesë e rëndësishme e punës së Presidentës.

 

Në zgjedjet e shkurtit 2021, ajo arriti një nivel historik të mbështetjes popullore duke u bërë politikanja më e votuar në historinë e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Para kësaj, Vjosa Osmani ishte gruaja e parë që ka shërbyer si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës pasi është zgjedhur në këtë post më 3 shkurt 2020, si dhe ka shërbyer edhe si ushtruese detyre e Presidentes të Republikës së Kosovës gjatë periudhës nëntor 2020 – mars 2021. Në mandatet e mëparshme si deputete ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, Komisionin e Integrimit Evropian dhe ka qenë nënkryetare e Komisionit të Reformës Kushtetuese.

 

Nga viti 2006 deri në vitin 2010, Vjosa Osmani shërbeu si shefe e Kabinetit të Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për Çështje Juridike dhe Ndërkombëtare, si dhe përfaqësoi Presidentin në Komisionin që hartoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu shërbeu në ekipin që përfaqësoj Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare në rastin historik në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

 

Presidentja Osmani më parë ka shërbyer si anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombtar dhe anëtare e Komitetit Drejtues të Iniciativës Globale të Deputetëve të Rinjë të Bankës Botërore dhe FMN-së.

 

Vjosa Osmani ka lindur më 17 Maj 1982 në Mitrovicë, ndërsa studimet fillore dhe të mesme i ka kryer në vendlindje. Përveç gjuhës amtare shqipe, presidentja Osmani flet edhe anglisht dhe disa gjuhë të tjera të huaja. Ajo është e martuar me Prindon Sadriun dhe kane dy vajza binjake Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Presidentja dhe familja e saj jetojnë në Prishtinë.